“Gen-Z, brezi me më shumë injorantë që janë krenarë për veten”

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 08.02.2026, 23:55

Gjenerata Z, të lindurit mes viteve 1997–2010 rezulton të ketë performancë më të dobët në shkollë se brezi i mëparshëm, sipas një neuroshkencëtari.

Një neuroshkencëtar i njohur ka ngritur alarmin se brezi i lindur mes viteve 1997 dhe 2010, i njohur ndryshe si Gjenerata Z, është brezi i parë në historinë moderne që ka shënuar rezultate më të dobëta në arsim krahasuar me gjeneratën paraardhëse.

Sipas Dr. Jared Cooney Horvath, ish-mësues dhe neuroshkencëtar, studimet dhe testimet tregojnë se të rinjtë e kësaj gjenerate kanë performancë më të ulët në disa fusha kyçe të zhvillimit kognitiv. Ai thekson se rënia është vërejtur në aftësitë e përqendrimit, kujtesës, leximit, matematikës, funksionit ekzekutiv dhe madje edhe në nivelet e inteligjencës së përgjithshme, krahasuar me brezin e mijëvjeçarëve (millenials).

Horvath argumenton se një nga arsyet kryesore lidhet me varësinë gjithnjë e më të madhe nga teknologjia dhe përdorimi masiv i mjeteve dixhitale në arsim. Sipas tij, mësimi përmes ekraneve dhe reduktimi i ndërveprimit të drejtpërdrejtë social mund të ketë ndikuar negativisht në zhvillimin e thelluar të aftësive mendore.

Në raportimet mediatike thuhet gjithashtu se, pavarësisht këtyre rezultateve, një pjesë e të rinjve të kësaj gjenerate shfaqin vetëbesim të lartë për aftësitë e tyre akademike. Kjo është interpretuar nga disa analistë si një fenomen i ri kulturor dhe social.

Neuroshkencëtari raportohet se ka dëshmuar edhe përpara Kongresit amerikan, duke paralajmëruar për ndikimin e teknologjisë në arsim dhe duke kërkuar rishikim të mënyrës se si ajo përdoret në procesin mësimor.

Megjithatë, ekspertë të tjerë theksojnë se rezultate të tilla duhen analizuar me kujdes, pasi faktorë të ndryshëm si ndryshimet në sistemet arsimore, kushtet sociale dhe mënyrat e testimit mund të ndikojnë ndjeshëm në performancën e nxënësve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit