Tragjedi në panair: Momenti i frikshëm kur ‘lëkundësja’ gjigande përplaset në tokë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 08.02.2026, 23:25

Një tragjedi është shënuar mbrëmjen e së shtunës në Panairin Ndërkombëtar Surajkund në Faridabad, Indi, ku një 'lëkundëse' gjigante (atraksion argëtues i tipit “Tsunami”) është shembur papritur gjatë funksionimit, duke shkaktuar një viktimë dhe 13 të plagosur.

Sipas autoriteteve, rreth 15-18 persona ndodheshin në lëkundëse në momentin e incidentit, rreth orës 18:15, kur struktura u anua dhe më pas u rrëzua me forcë në tokë. Pamjet e publikuara në rrjet tregojnë momentin kur atraksioni bie nga lartësia, ndërsa vizitorët shpërndahen të tmerruar.

Viktima është identifikuar si inspektori Jagdish Prasad, pjesë e Policisë së Palwalit, i cili ndodhej në shërbim gjatë panairit. Sipas zyrtarëve lokalë, ai u përpoq të ndihmonte qytetarët kur luhatësi nisi të anohej, por u godit në fytyrë dhe në kokë nga një pjesë e strukturës. Ai u dërgua me urgjencë në spital, por mjekët e shpallën të vdekur në mbërritje. Inspektori pritej të dilte në pension në muajin mars.

Të plagosurit u transportuan me ambulancë në spital, ku po marrin trajtim mjekësor. Mes tyre raportohet edhe një efektiv policie dhe disa vizitorë të tjerë.

Pas ngjarjes, zona e panairit u evakuua, ndërsa autoritetet lokale nisën menjëherë hetimet. Është urdhëruar regjistrimi i një kallëzimi penal dhe pritet të merren masa ndaj operatorit të atraksionit.

Dëshmitarët tregojnë për momente paniku, britma dhe rrëmujë, ndërsa disa persona u përpoqën të ndihmonin të bllokuarit në strukturë përpara se ajo të shembej plotësisht.

Kryeministri i shtetit Haryana, Nayab Singh Saini, shprehu ngushëllimet për humbjen e jetës dhe deklaroi se autoritetet janë udhëzuar të sigurojnë trajtim të menjëhershëm për të plagosurit.

Panairi Surajkund konsiderohet një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në Indi dhe çdo vit tërheq mijëra vizitorë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit