Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin nacional që lidh Lushnjën me Grabjanin dhe Çermën, konkretisht në vendin e quajtur "Tri Urat". Një automjet i tipit “BMW” është përplasur me një kalë, i cili i ka prerë rrugën në mënyrë të papritur.
Sipas Policisë Rrugore të Lushnjes, aksidenti ka ndodhur në kushte të errësirës së plotë, duke e bërë të pamundur manovrimin e shoferit për të shmangur goditjen. Si pasojë e përplasjes së fortë, kafsha ka ngordhur menjëherë në vendngjarje, ndërsa mjeti ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Nga ky aksident ka mbetur e lënduar pasagjerja në mjet, bashkëshortja e drejtuesit, e cila është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Lushnjës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ky segment rrugor mbetet mjaft problematik për sigurinë rrugore. Edhe pse në të dyja anët e rrugës janë të vendosura barriera metalike, ato nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme kundër kalimit të kafshëve në karrexhatë, duke u kthyer në një burim të vazhdueshëm rreziku për drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë gjatë natës.
