Britania e Madhe është përfshirë në një krizë të rëndë politike, një nga më seriozet që nga ardhja në pushtet e kryeministrit Keir Starmer. Shkak është bërë emërimi i Peter Mandelson si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara, një vendim që ka shkaktuar reagime të forta publike dhe presion të madh politik.
Si pasojë direkte e skandalit, Morgan McSweeney, shefi i kabinetit të Kryeministrit dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Starmerit, ka dhënë dorëheqjen. Lajmi u konfirmua zyrtarisht ditën e sotme, më 8 shkurt.
McSweeney njihej si arkitekti kryesor i fitores së Partisë Laburiste në zgjedhjet e korrikut 2024 dhe konsiderohej truri strategjik pas suksesit elektoral të Keir Starmerit, me një rol kyç në drejtimin e qeverisë.
Në deklaratën e dorëheqjes, McSweeney pranoi hapur se kishte qenë i përfshirë drejtpërdrejt në vendimin për emërimin e Mandelsonit dhe se ai vetë ia kishte rekomanduar Kryeministrit këtë zgjedhje.
“Vendimi për të emëruar Peter Mandelson ishte i gabuar. Ky vendim ka dëmtuar partinë tonë, vendin tonë dhe besimin e qytetarëve te politika. Unë e këshillova Kryeministrin për këtë emërim dhe marr përgjegjësinë e plotë për këtë këshillë”, deklaroi McSweeney.
Peter Mandelson, një figurë e njohur e politikës britanike, u bë qendër e polemikave pasi dolën në dritë dokumente dhe informacione që flasin për marrëdhënie të ngushta të tij me Jeffrey Epstein, i ndjeri i dënuar për krime të rënda seksuale.
Këto zbulime shkaktuan indinjatë të madhe në opinionin publik dhe në qarqet politike, duke ngritur shqetësime serioze mbi përfaqësimin e Britanisë së Madhe në një nga postet diplomatike më të rëndësishme në botë.
Skandali ka vënë Kryeministrin Keir Starmer nën presion të jashtëzakonshëm, si nga opozita, ashtu edhe nga vetë radhët e Partisë Laburiste. Analistët politikë e cilësojnë këtë situatë si krizën më të madhe të 18 muajve të parë të qeverisjes së tij, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi vendimmarrjen dhe transparencën e qeverisë.