Një person është arrestuar nga efektivët e komisariatit nr.4, i akuzuar për trafik armësh nga Kosova drejt Shqipërisë. Policia ka vënë në sekuestro 12 armë, pistoleta të tipit 'Glock' së bashku me municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në zonën e Freskut në kryeqytet.
I arrestuari është identifikuar si Dugagjin Berisha, i cili u kap në flagrancë teksa po dilte nga Unaza e Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës.
Sipas informacioneve zyrtare, efektivët e Komisariatit nr. 4 kishin siguruar të dhëna se Berisha do të udhëtonte drejt kryeqytetit dhe më pas në zonën e Freskut, ku synonte të shiste pistoletat. Për këtë arsye, ai u mbajt nën vëzhgim që prej momentit kur kaloi Pikën Kufitare të Morinës, duke hyrë në Shqipëri me një automjet tip “Volkswagen”.
Hetimet zbulojnë se aktiviteti i tij kriminal ishte dokumentuar më herët, duke përdorur agjentë të infiltruar, të cilët i blenë Berishës dy pistoleta në zonën e Freskut. Ky veprim u krye për të siguruar prova konkrete mbi trafikimin e armëve dhe për të parandaluar shpërndarjen e tyre në tregun e paligjshëm.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se 27-vjeçari ka qenë i përfshirë edhe më parë në raste të ngjashme, duke ushtruar në mënyrë të vazhdueshme aktivitetin e trafikimit të armëve të zjarrit drejt zonës së Tiranës.