Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ nga banorët e Tapizës, të cilët ngrenë shqetësimin për gjendjen e rrezikshme të telave elektrikë dhe ndriçimit në zonë. Sipas tyre, telat janë të varur dhe të dëmtuar, duke përbërë një rrezik serioz për këdo që kalon aty, veçanërisht për fëmijët dhe nxënësit që çdo ditë shkojnë drejt shkollës.
Banorët shprehen se situata është denoncuar disa herë pranë institucioneve përkatëse, por deri më tani as Bashkia e Tiranës dhe as OSHEE nuk kanë marrë masa për të zgjidhur problemin. Pavarësisht rrezikut të dukshëm, mungesa e reagimit ka lënë zonën të pambrojtur, ndërsa frika për një aksident të rëndë është gjithnjë e pranishme.
Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse, përpara se kjo situatë të përfundojë në një ngjarje tragjike. Banorët i bëjnë thirrje institucioneve që të mos e neglizhojnë më këtë problem, pasi bëhet fjalë për sigurinë dhe jetën e qytetarëve.