Banorët e fshatit Kodër Lumë në Kukës ankohen për gjendjen shumë të keqe të rrugës, e cila ndodhet vetëm pak minuta larg qytetit.
Prej vitesh rruga është e dëmtuar dhe e vështirë për t’u kaluar, duke shkaktuar probleme për makinat dhe vështirësi për banorët, sidomos për fëmijët që shkojnë në shkollë apo në raste urgjente.
Sipas banorëve, megjithëse janë ankuar disa herë, kryebashkiaku Albert Halilaj nuk ka marrë asnjë masë për ta rregulluar rrugën. Ata thonë se janë lënë pas dore dhe kërkojnë ndërhyrje sa më shpejtë.
"Përshëndetje JOQ Albania! Jam një banor i fshatit Kodër-Lumë, Kukës. Kjo rrugë ndodhet vetëm 3 minuta larg qytetit dhe prej shumë vitesh është në këtë gjendje, ndërsa shteti nuk i ka hedhur asnjëherë sytë. Pavarësisht se jemi ankuar disa herë te bashkia me kryetar Albert Halilajn, ankesat tona nuk janë marrë asnjëherë parasysh. Rruga është bërë e pakalueshme dhe automjetet hasin shumë probleme. Është e pamundur të çosh fëmijët në shkollë apo të përballosh ndonjë rast urgjent. Në këtë zonë ndodhet edhe një pikë bllokimi makinash që përdoret nga vetë shteti, por megjithatë askujt nuk i intereson të ndërhyjë për rregullimin e rrugës. Do të isha shumë mirënjohës nëse do ta publikonit këtë ankesë. Faleminderit."-shkruan banori.