Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton dhe bashkëshorti i saj, ish-Presidenti Bill Clinton, kanë rënë dakord të dëshmojnë para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve në kuadër të hetimit për Jeffrey Epstein. Megjithatë, Hillary Clinton ka kërkuar publikisht që dëshmia të zhvillohet në një seancë dëgjimore të hapur, dhe jo me dyer të mbyllura, duke theksuar se transparenca e vërtetë arrihet vetëm përmes seancave publike me kamera të ndezura.
Kryetari i komisionit, republikani James Comer, ka deklaruar se do të këmbëngulë që dëshmitë, të planifikuara për fundin e muajit, të merren privatisht, por të regjistrohen dhe të transkriptohen. Ky përplasje qëndrimesh është pjesë e tensioneve të vazhdueshme mes palëve, që nga momenti kur komiteti u dërgoi thirrje në gjyq të dy Clintonëve në muajin gusht.
Dosjet e çështjes Epstein përfshijnë emra të shumtë figurash të njohura ndërkombëtare, mes tyre ish-princi britanik Andrew, ish-presidenti Bill Clinton, presidenti aktual amerikan Donald Trump, ish-kryeministri izraelit Ehud Barak, këngëtari Michael Jackson dhe ish-guvernatori i New Mexico-s Bill Richardson. Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka nisur publikimin e këtyre dokumenteve sipas Aktit të Transparencës së Dosjeve Epstein, ndërsa zbulimet e fundit përbëjnë grupin më të madh të materialeve të publikuara deri tani mbi këtë çështje.