Protesta të dhunshme kundër Olimpiadës Dimërore në Milano

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 08.02.2026, 00:10

Rreth 5 mijë persona kanë protestuar në Milano kundër zhvillimit të Lojërave Olimpike Dimërore 2026, ceremonia hapëse e së cilës u mbajt një ditë më parë në stadiumin “San Siro”.

Protesta nisi në mënyrë paqësore, me marshim, pankarta dhe thirrje kundër ndikimit mjedisor dhe kostove ekonomike të organizimit të Lojërave. Demonstruesit, mes të cilëve aktivistë mjedisorë, grupe studentore, organizata për të drejtat e strehimit dhe sindikata, kundërshtojnë ndërtimin e impianteve olimpike dhe atë që e cilësojnë si “dëm social dhe ekonomik”.

Sipas mediave italiane, marshimi kaloi pranë Fshatit Olimpik, i cili ishte i rrethuar nga forca të shumta policie. Në mbrëmje situata u tensionua, kur një pjesë e protestuesve hodhën fishekzjarre dhe bomba tymuese drejt forcave të rendit dhe furgonëve të policisë. Autoritetet u kundërpërgjigjën me topa uji dhe gaz lotsjellës.

Përplasjet më të forta u regjistruan në zonën e Corvettos, ku policia italiane ka ndaluar të paktën pesë persona pas incidenteve.

Ndërkohë, paralelisht me protestat, autoritetet italiane po hetojnë edhe disa incidente në linjat hekurudhore në veri të vendit. Ministri i Transportit ka folur për dyshime mbi një “sulm të paramenduar”, pasi në zonën e Bolonjës janë zbuluar tre raste dëmtimesh në rrjetin hekurudhor, përfshirë edhe një pajisje shpërthyese artizanale të vendosur në një nga linjat.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur nëse bëhet fjalë për akte të koordinuara sabotimi apo incidente të izoluara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit