Pak orë pasi JOQ Albania publikoi videon e rrezikshme nga aksi Qafë Thanë–Hotolisht, ku një kamion qarkullonte kundravajtje duke shkaktuar aksident, ka reaguar drejtuesi i automjetit që u përplas me bordurën për të shmangur përplasjen ballore.
Në një mesazh drejtuar redaksisë sonë, ai shprehet se, pavarësisht rrethanave të ngjarjes, në vendngjarje është gjobitur nga Policia Rrugore për tejkalim shpejtësie, ndërsa drejtuesi i kamionit, sipas tij, është larguar pa ndaluar dhe pa u identifikuar.
“Unë jam drejtuesi i automjetit që shihet ne video. Aksidenti ndodhi vetem sepse një kamion po qarkullonte kundravajtje. Pavarësisht kësaj, në vendngjarje Policia Rrugore më gjobiti mua, ndërsa drejtuesi i kamionit u largua pa ndaluar,” – shkruan ai.
Sipas procesverbalit të konstatuar, drejtuesi është sanksionuar me 2000 lekë për shkelje të nenit që lidhet me shpejtësinë.
Ndërkohë, në pamjet e publikuara më herët shihet qartë momenti kur kamioni lëviz në sens të kundërt në një segment me kthesë, duke detyruar drejtuesin e “Benz”-it të devijojë drejt bordurës për të shmangur përplasjen ballore.
Drejtuesi thekson se tashmë ekziston provë filmike që, sipas tij, tregon rrethanat reale të ngjarjes dhe kërkon rishikim të masës së marrë ndaj tij, si dhe identifikimin e mjetit të rëndë që u largua nga vendi i ngjarjes.
Ky rast ngre pikëpyetje mbi mënyrën e trajtimit të situatave të tilla në terren dhe nëse janë marrë në konsideratë të gjitha rrethanat e aksidentit.
JOQ Albania mbetet e hapur për një reagim nga Policia Rrugore lidhur me këtë rast.