Disa të rinj i janë drejtuar redaksisë së JOQ për të denoncuar një situatë alarmante, e cila po kthehet gjithnjë e më shpesh në shkak tragjedish në rrugët e vendit.
Në aksin Tepelenë–Fier, një kamion është filmuar teksa lëviz pa asnjë ndriçim, duke u kthyer në një rrezik ekstrem jo vetëm për të rinjtë që ndodheshin pas tij, por për çdo përdorues të rrugës. Në errësirë dhe në kushte lagështie, mjeti ishte praktikisht i padukshëm.
Një nga të rinjtë, i indinjuar, shprehet se duhen marrë masa urgjente, pasi nga papërgjegjshmëria e tillë “po merren në qafë djem nënash”. Ai thekson se nëse do të kishin rritur pak shpejtësinë, pasojat mund të kishin qenë fatale.
Ky rast rikthen në kujtesë një tragjedi të marsit 2025, kur katër të rinj humbën jetën në mënyrë makabre, pasi u përplasën me një betoniere të ndalur në mes të rrugës, me drita të fikura dhe pa asnjë sinjalizim. Automjeti i tyre u përfshi nga flakët, duke mos u lënë asnjë mundësi shpëtimi.