Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast alarmant për sigurinë ushqimore.
Ai ka dërguar një video ku shfaqet një mi në vitrinën ku janë të ekspozuara bukët për shitje. Ai pretendon se pamjet janë filmuar brenda furrës së bukës “Past’el”, e cila ndodhet pranë një spitali në kryeqytet.
Në video duket qartë një brejtës që lëviz mbi produktet e ekspozuara, ndërsa qytetari shprehet i shqetësuar për rrezikun që kjo situatë mund të paraqesë për shëndetin e qytetarëve, pacientëve dhe familjarëve që frekuentojnë zonën.
Denoncuesi shkruan se ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë, teksa kishte shkuar për të blerë bukë te furra në fjalë, pasi një i afërm i tij ndodhej i shtruar. Ai thekson se është “shokuar” nga ajo që ka parë dhe është përpjekur ta filmojë me zoom për ta bërë sa më të dukshme praninë e miut.
JOQ Albania thekson se videoja është dërguar nga qytetari dhe, ndonëse në pamje duket qartë miu, redaksia nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur nëse ajo është filmuar në ambientet e furrës në fjalë.
JOQ Albania mbetet e hapur për një reagim nga furra e bukës “Past’el”, për të paraqitur versionin e saj apo për të dhënë sqarime të mëtejshme lidhur me situatën.