Kujdes nga mesazhi “Voto Sarën” në WhatsApp, mund të vjedhë të dhënat

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 07.02.2026, 15:16

“Përshëndetje! A mund të ndani pak kohë për të votuar Sarën? Ajo është vajza e shoqes sime dhe fituesi merr një vit mësime vallëzimi pa pagesë. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për të.”

Nëse edhe juve ju ka mbërritur në celular një mesazh i tillë, kini kujdes!

Kjo skemë e re mashtrimi po përhapet me shpejtësi në WhatsApp dhe ka prekur edhe qytetarë shqiptarë. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin “mashtrimi i balerinës”, i cili shfaqet si një mesazh i pafajshëm për votim në një konkurs vallëzimi për fëmijë.

Mesazhi zakonisht u kërkon përdoruesve të klikojnë një link për të mbështetur një fëmijë, shpesh me justifikimin se fituesi do të përfitojë mësime falas vallëzimi. Megjithëse duket i padëmshëm, linku ka si qëllim vjedhjen e të dhënave personale.

Pasi përdoruesi klikon linkun, ai ridrejtohet në një faqe që imiton një platformë votimi. Në të vërtetë, kjo faqe shërben për të komprometuar llogarinë e WhatsApp, duke i dhënë hakerëve akses në, profilin e përdoruesit, listën e kontakteve dhe bisedat, dërgimin e mesazheve mashtruese në emër të viktimës

Nga llogaria e infektuar, mashtruesit shpërndajnë linke të tjera të rrezikshme, të maskuara si lojëra, oferta apo shërbime online, të cilat mund të çojnë edhe në rrezikimin e aplikacioneve bankare.

Për shkak se mesazhet vijnë nga kontakte reale dhe të njohura, përdoruesit bien më lehtë pre e mashtrimit, duke e bërë skemën të përhapet shumë shpejt.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit