Në Fushë-Arrëz ka ndodhur një ndërhyrje që sfidon çdo standard ligjor: institucione shtetërore kanë hyrë në pronën e një familjeje të pajisur me certifikatë pronësie dhe hartë zyrtare, pa paraqitur asnjë dokument ligjor, pa urdhër ekzekutimi dhe pa transparencë ndaj pronarëve.
Ngjarja shënon një shembull flagrant të abuzimit me pushtetin dhe favorizimit të interesave private. Sipas familjes, në tokë ka qenë vetëm një grua 89-vjeçare, e vetme, dhe megjithëse ajo kërkoi të prisnin djalin për të dorëzuar dokumentacionin, presioni ndaj saj nuk u ndal dhe është shoqëruar nga forcat e policisë. Konflikti ligjor mbi pronën nuk ka përfunduar dhe nuk ka vendim gjyqësor, por kjo nuk ka penguar autoritetet të ndërhyjnë në mënyrë arbitrare.
Denoncimi i familjes nxjerr në pah rolin e administratorit të ujit Puka, z. Kel Gjinaj, i cili dyshohet se ka ndikuar në mënyrë të padrejtë tek institucionet e Prokurorisë së Shkodrës, duke përdorur pushtetin dhe lidhjet për të favorizuar interesat e tij personale. Personat e ardhur në tokë kanë refuzuar të tregojnë urdhër ligjor, duke deklaruar se “nuk i marrin për bazë letrat tona”, dhe kanë kërkuar vetëm paraqitjen në polici.
Nga verifikimet e kryera nga familja:
Bashkia nuk disponon asnjë dokument që të justifikojë ndërhyrjen.
ARRSH ka pohuar se nuk ka kompetencë për të dhënë leje kalimi në pronë private.
Prona është e regjistruar dhe e certifikuar, duke e bërë të pacenueshme për çdo interes privat.
Kjo ngjarje tregon një model të rrezikshëm: kur shteti përdoret për të mbrojtur interesa private dhe individë me lidhje politike ose administrative, qytetari i thjeshtë mbetet i pambrojtur. Veprime të tilla minojnë besimin në institucionet shtetërore dhe shkelin parimin bazë të ligjit, duke i dhënë një mesazh të qartë: ligji aplikohet selektivisht, sipas interesave të pushtetshmëve.
Familja kërkon ndëshkimin e përgjegjësve dhe respektimin e ligjit, duke bërë thirrje që çdo ndërhyrje e mëtejshme të ndalet deri në vendimin final gjyqësor dhe çdo dokument ligjor të publikohet dhe verifikohet.