Një sipërmarrës italian hyn për një ndërhyrje rutinë për zvogëlimin e stomakut në një klinikë private në Shqipëri. Del prej saj në arrest kardiak. Dhe ndërron jetë pak më vonë në QSUT. Kaq mjafton për të ngritur alarmin. Por historia bëhet edhe më e rëndë kur mëson se kirurgu që kreu operacionin, Andrea Formiga, është tashmë nën hetim nga Prokuroria e Padovës në Itali.
Formiga, një emër që në faqet zyrtare të Trita Hospital dhe DermoLife prezantohet si “doktor i mrekullive”, rezulton të jetë mjeku që operoi pacientin pak para se ky i fundit të humbte jetën. Një kontrast brutal mes marketingut luksoz dhe përfundimit tragjik.
Sipas të dhënave publike, Formiga bashkëpunon prej vitesh me Trita Hospital, një qendër shëndetësore private në Shqipëri, e cila operon gjithashtu edhe klinikën estetike DermoLife. Në videot promovuese të shpërndara nga vetë klinika, mjeku përshkruhet si profesionist me mbi 30 vite përvojë, aktiv “pak a shumë në të gjithë Italinë”, ndërsa pacientët, sipas tyre, e quajnë “doktorin e mrekullive”.
Por mrekullia përfundoi në morg.
Kirurgu vinte në Tiranë një ose dy herë në muaj për të kryer ndërhyrje bariatrike, fibrogastroskopi, kolonoskopi dhe procedura të tjera që lidhen me obezitetin. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë, por therëse: a ishte klinika e përgatitur realisht për komplikacione të rënda? A kishte protokolle emergjence? Dhe pse një pacient që hyn për një operacion privat përfundon duke dhënë shpirt në spitalin shtetëror?
Kur një klinikë private shet siguri, profesionalizëm dhe “mrekulli”, ajo duhet të mbajë edhe peshën e dështimeve. Sidomos kur dështimi kushton jetë njerëzore.
Hetimi i autoriteteve italiane ndaj kirurgut është një kambanë alarmi jo vetëm për emrin e tij, por edhe për klinikat që e promovojnë, e sjellin dhe i hapin dyert pa transparencë të plotë ndaj publikut. Shqipëria nuk mund të shndërrohet në një stacion eksperimental për mjekë “yje”, ndërsa pacientët paguajnë çmimin më të lartë.