Jeffrey Epstein, miliarderi amerikan i dënuar për krime seksuale, ka qenë i përfshirë në bisedime për blerjen e ishullit grek Scorpio, ish-pronë e Aristotel Onassisit. Kjo rezulton nga dokumente të publikuara së fundmi nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara.
Sipas këtyre materialeve, kontaktet janë zhvilluar nga gushti deri në fund të vitit 2011 dhe tregojnë se Epstein po kërkonte informacion të detajuar mbi ishullin. Megjithatë, bisedimet nuk u konkretizuan në një marrëveshje dhe mbetet e paqartë nëse ai kishte interes personal apo po vepronte për llogari të një pale të tretë.
Të dhënat janë pjesë e rreth 3 milionë dokumenteve dhe email-eve të deklasifikuara, ku materialet që lidhen me Scorpio nuk janë censuruar, përveç adresave elektronike të personave me të cilët Epstein komunikonte.
Mes emrave që shfaqen në korrespondencë janë Boris Nikoliç, ish-bashkëpunëtor i Bill Gates, i njohur për marrëdhënien e tij me Epstein, si dhe Richard Giraud, një sipërmarrës francez i përfshirë në tregun e pasurive të paluajtshme luksoze.
Më 5 gusht 2011, Giraud i dërgoi Nikoliç informacione mbi disa ishuj privatë në Greqi. Një ditë më pas, këto të dhëna iu përcollën Epstein-it, ku ishulli Scorpio përshkruhej si “një nga ishujt më privatë në Greqi”.
Në vijim, Epstein kërkoi detaje shtesë, veçanërisht mbi statusin e bregdetit, nëse ishte privat apo publik. Nikoliç iu përgjigj se ishulli nuk ishte zyrtarisht në shitje, por u angazhua të verifikonte informacionin e kërkuar.
Më 17 gusht, Epstein u informua se Scorpio ishte plotësisht privat, me rezidenca, pistë helikopterësh dhe një histori të njohur, të lidhur me Aristotel Onassisin dhe Jackie Kennedy.
Nga data 20 gusht, komunikimi kaloi drejtpërdrejt mes Epstein-it dhe Giraud-it, i cili po përpiqej të organizonte një vizitë private në ishull. Në këtë periudhë, Epstein ndodhej me pushime në Evropë dhe shfaqte interes të vazhdueshëm për çështjet e privatësisë dhe aksesit në ishull.
“Nuk ka ishull plotësisht privat”, shkruante Giraud në një nga mesazhet, duke sqaruar më tej se Scorpio ishte pronë private dhe hyrja e ndaluar.
Në fillim të shtatorit 2011 u diskutua mundësia e një vizite në tetor, por Epstein, i cili ndodhej në Nju Jork, bëri të ditur se nuk mund të merrte pjesë. Edhe përpjekjet e mëvonshme për planifikim, përfshirë komunikime të tjera në nëntor dhe në fund të vitit, nuk dhanë rezultat.
Dokumentet tregojnë se interesimi i Epstein-it për ishullin Scorpio mbeti në fazën e bisedimeve dhe eksplorimit, pa u shndërruar as në një vizitë zyrtare dhe as në një marrëveshje konkrete.