Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e kryeministrit Edi Rama për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, duke lënë çështjen në duart e Kuvendit. Tashmë vendimi do të shqyrtohet nga Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve, ku pritet të diskutohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit dhe mundësinë e arrestimit të ministres.
Këshilli i Mandateve ka zhvilluar vetëm një mbledhje më 19 dhjetor, pa marrë vendim, ndërsa një mbledhje tjetër më 28 janar u shty, pasi socialistët kërkuan të prisnin vendimin e Kushtetueses. Javën e ardhshme pritet që kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, të thërrasë një mbledhje të re për të diskutuar çështjen.
Pas përfundimit të mbledhjes, Këshilli ka dy javë kohë për të përgatitur raportin dhe rekomandimin për heqjen ose jo të imunitetit të Ballukut. Tani mbetet për t’u parë nëse procedura do të ndjekë të njëjtin model si rasti i ish-ministrës Xhaçka, ku Kuvendi abstenuan në seancë për çështjen e mandatit.