Shokët dhe miqtë e shkollës i dhanë lamtumirën Xhesika Kolës, 15-vjeçares me origjinë shqiptare, e cila humbi jetën së bashku me babanë Arti, nënën Jonida dhe vëllanë Hajdar, si pasojë e një rrjedhjeje monoksidi karboni mbrëmjen e së mërkurës. “Xhesika jeton përgjithmonë në zemrat tona! Na mungon tashmë. Ti shkëlqen dhe do të shkëlqesh”, u shprehën nxënësit e prekur nga kjo tragjedi.

Xhesika ishte në vitin e tretë të shkollës së mesme në Camigliano, njësi e Capannorit, ndërsa drejtuesja e institucionit, Gloria Giuliani, i ka dërguar një letër gjithë komunitetit shkollor për të shprehur ngushëllimet e saj. Nxënësit, të mbështetur nga një psikologe e aktivizuar nga vetë shkolla, organizuan homazhe spontane për 15-vjeçaren, duke u mbledhur së bashku me prindërit për të nderuar kujtimin e saj.
Ngjarja ka tronditur edhe familjen e gjerë. Durim Kola, vëllai i Artit, i cili hyri në shtëpi bashkë me karabinierët për të shpëtuar familjen, u shtrua në spital për thithje monoksidi dhe tani ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por i tronditur thellësisht. Prokuroria e Luccas ka urdhëruar autopsinë e trupave, ndërsa banesa mbetet nën sekuestro, dhe hetimet teknike vazhdojnë për të përcaktuar shkakun e rrjedhjes së monoksidit, pa persona të regjistruar për momentin si të dyshuar.