Gjashtë oficerë policie u plagosën në Itali gjatë një operacioni për arrestimin e katër shtetasve shqiptarë, të dyshuar si pjesë e një bande hajdutësh që kishte kryer dhjetëra vjedhje në Kampania dhe Lazion jugore. Operacioni u zhvillua në zonën mes Cesa dhe San Marcellino, me angazhimin e rreth 100 efektivëve.
Gjatë bastisjes, një i afërm i njërit prej të arrestuarve u hodh mbi policët për të ndihmuar arratisjen e tij, duke plagosur pesë oficerë, ndërsa një tjetër efektiv u sulmua nga një prej të dyshuarve. Policia sekuestroi rreth 100 mijë euro cash, ar dhe bizhuteri me vlerë rreth 1 milion euro, një makinë luksoze, dy pistoleta dhe targa të falsifikuara.
Sipas autoriteteve italiane, banda vepronte në mënyrë të organizuar, duke përdorur disa automjete për grabitje dhe arratisje të shpejtë. Hetimet nisën pas një vjedhjeje në San Leucio dhe çuan në arrestimin e katër të dyshuarve, të cilët cilësohen si hajdutë profesionistë.