Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Kryeministrit Edi Rama për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, pas një vendimi të marrë me barazim votash, 4 pro dhe 4 kundër. Katër gjyqtarët që votuan kundër kërkesës ishin Marsida Xhaferllari, Elsa Toska, Sandër Beci dhe Asim Vokshi. Mosarritja e kuorumit bëri që kërkesa e Kryeministrisë të refuzohej automatikisht, duke lënë në fuqi pezullimin e Ballukut.
Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se imuniteti i ministrave lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e organit ekzekutiv. Sipas vendimit, çdo masë që kufizon ushtrimin e detyrës së një anëtari të Këshillit të Ministrave kërkon autorizim paraprak nga Kuvendi i Shqipërisë.
Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK për tenderin 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, akuzë që i është komunikuar zyrtarisht. Ajo dyshohet gjithashtu edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Sipas SPAK, për të dy tenderët me vlerë totale 210 milionë euro, Balluku ka paracaktuar fituesit përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës.