Trotuaret e Lezhës janë kthyer në një shqetësim serioz për qytetarët, të cilët denoncojnë se shumë prej tyre janë të mbushura me mbeturina dhe makina të parkuara.
Ata thonë se kjo situatë e pamundëson lëvizjen normale të këmbësorëve, veçanërisht të grave me fëmijë dhe personave me karroca, të cilët shpesh detyrohen të ecin në rrugë, duke rrezikuar sigurinë e tyre.
Sipas qytetarëve, problemi lidhet me mungesën e koshave për mbeturina dhe planifikimin e dobët të hapësirave për parkim. Ata kritikojnë gjithashtu investimet e kryera nga shteti dhe autoritetet lokale, të cilat, sipas tyre, nuk kanë përparuar zgjidhjen e problemeve bazë të infrastrukturës për këmbësorët.
“Gratë me fëmijë dhe prindërit me karroca nuk kanë ku të kalojnë, dhe detyrohen të dalin në rrugë,” shprehet një qytetar për JOQ.
Qytetarët shpresojnë që autoritetet të ndërhyjnë për të krijuar hapësira të sigurta për këmbësorët dhe për të përmirësuar menaxhimin e mbeturinave.