Ish-kandidati i PD në bashkinë Rrogozhinë Shkëlqim Hoxha, dënohet për moskallëzim të krimit

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 06.02.2026, 18:50

Ish-kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë Rrogozhinë, Shkëlqim Hoxha, është dënuar nga gjykata për veprën penale të moskallëzimit të krimit.

Hoxha u dënua me 4 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu konvertua në 60 orë punë në interes publik.

Së bashku me të, u dënuan edhe katër persona të tjerë për korrupsion aktiv në zgjedhje: Limon Shala, Florant Saraçi, Fatmir Thaçi dhe Engjell Cara. Për ta, gjykata vendosi që dënimi me burg të konvertohet në dy vite shërbim prove.

Sipas hetimeve, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për qytetarë të ndryshëm (të dokumentuara në 64 raste), me qëllim që ata të merrnin pjesë në votime dhe të votonin në favor të Shkëlqim Hoxhës në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.

Nga aktet hetimore ka rezultuar se Shkëlqim Hoxha ishte në dijeni të plotë të kësaj veprimtarie të paligjshme, konkretisht të faktit se Fatmir Thaçi dhe Limon Shala ishin të angazhuar në sigurimin dhe shpërndarjen e biletave të udhëtimit për votues të ndryshëm, për shkak të statusit të tij si kandidat për kryetar bashkie.

Megjithëse kishte dijeni, Hoxha nuk e kallëzoi rastin pranë organeve kompetente, duke shkelur detyrimin ligjor, çka përbën vepër penale sipas nenit 300 të Kodit Penal.

Rast ky i cili nxjerr në pah përdorimin e skemave të paligjshme për ndikim në votë gjatë proceseve zgjedhore në vend.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit