Një mësues i gjuhës angleze në shkollën private 9-vjeçare “ Gustav Majer” në Tiranë është larguar nga detyra, pasi gjatë orëve të mësimit dyshohet se ka zhvilluar predikime fetare dhe ka promovuar besimin e Dëshmitarëve të Jehovait para nxënësve.
Sipas ankesave të paraqitura nga prindërit e nxënësve të klasës së katërt, mësuesi kishte kthyer orën e anglishtes në diskutime me përmbajtje fetare, duke folur për dashurinë hyjnore, urdhërimet e Zotit dhe fundin e botës. Prindërit pretendojnë se fëmijët ndiheshin të detyruar të merrnin pjesë në këto biseda, të cilat nuk kishin lidhje me programin mësimor.
Një nga nxënësit ka treguar se mësuesi kishte si qëllim t’u fliste vazhdimisht për Zotin, ndërsa prindërit janë shprehur të tronditur, duke e konsideruar këtë sjellje si një shkelje të rëndë të parimeve të arsimit laik dhe një ndikim të papranueshëm mbi fëmijët.
Disa prindër kanë deklaruar se nuk kishin asnjë dijeni më parë për këto veprime, ndërsa të tjerë theksuan se, pavarësisht rezultateve të mira akademike të fëmijëve ndër vite, përzierja e fesë me arsimin është e papranueshme në një institucion shkollor.
Pas verifikimeve të kryera nga drejtoria e shkollës në bashkëpunim me shërbimin psikosocial dhe strukturat përkatëse, rasti është shqyrtuar nga Komisioni i Etikës dhe më pas nga Komisioni i Disiplinës. Ky i fundit, me votim të fshehtë, ka vendosur masën disiplinore “largim nga puna” për mësuesin.
Vendimi është marrë në përputhje me Kodin e Punës, ligjin për sistemin arsimor parauniversitar, rregulloren e funksionimit të institucioneve arsimore dhe Kodin e Etikës së Mësuesit, të cilat garantojnë neutralitetin dhe karakterin laik të arsimit.
Që prej datës 3 shkurt 2026, mësuesi nuk ka zhvilluar më orë mësimore, ndërsa procedurat për zgjidhjen e kontratës së punës janë në proces.