Shqipëria do të marrë pjesë në edicionin e 25-të të Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina, me objektivin për të shkruar histori dhe për të synuar medaljen e parë olimpike dimërore. Ceremonia kryesore hapëse e këtij eventi madhor do të zhvillohet në stadiumin legjendar “San Siro” në Milano, ndërsa për arsye organizative janë planifikuar edhe dy ceremoni të tjera hapëse në Cortina d’Ampezzo dhe Bormio.
Delegacioni shqiptar do të përfaqësohet nga katër sportistë: Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti. Flamurin kombëtar do ta mbajë Lara Colturi në ceremoninë që do të zhvillohet në Cortina d’Ampezzo, ndërsa Denni Xhepa do të parakalojë me flamur në ceremoninë e Bormios.
Shqipëria do të ketë në dispozicion dy njësi akomodimi në fshatin olimpik të Cortinës, ku janë sistemuar edhe sportistët shqiptarë. Garat për përfaqësuesit kuqezi do të zhvillohen nga 11 deri më 18 shkurt, në disiplinat e Slalomit dhe Slalomit Gjigand, në pistat e Bormios dhe Cortina d’Ampezzo.
Kalendari i garave për sportistët shqiptarë:
11 shkurt: Denni Xhepa garon në Slalomin Gjigand, ora 11:30, në Bormio.
14 shkurt: Denni Xhepa merr pjesë në Slalom, ora 11:30, në Bormio.
15 shkurt: Lara Colturi dhe Semire Dauti garojnë në Slalomin Gjigand, ora 10:00, me lëshimin e dytë në 13:30 (nëse kualifikohen), në Cortina d’Ampezzo.
16 shkurt: Denni Xhepa garon në Slalom, ora 10:00, në Bormio.
18 shkurt: Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti marrin pjesë në Slalom, ora 10:00, me lëshimin e dytë në 13:30 (nëse kualifikohen), në Cortina d’Ampezzo.