Vetëm disa orë reshje shiu kanë mjaftuar që rrugët e Shkodrës, përfshirë edhe pedonalen, të mbulohen nga uji, duke rikthyer pamjen e njohur tashmë të qytetit si një “Venecia” shqiptare. Banorët dhe vizitorët e qytetit përballen me vështirësi të mëdha për të lëvizur, ndërsa infrastruktura urbane duket sërish e papërgatitur për situata të tilla.
Shkodra, një ndër zonat më problematike të vendit gjatë reshjeve, duket se vazhdon të jetë në mëshirë të fatit. Bashkia, që çdo vit premtimet për përmirësime i sheh si prioritet, duket se edhe këtë herë nuk ka reaguar në kohë për pastrimin e kanaleve dhe parandalimin e përmbytjeve. Rezultati është një qytet i përmbytur, ku uji bllokon rrugët dhe pengon lëvizjen normale të qytetarëve.
Situata risjell në vëmendje dështimin kronik të menaxhimit të qytetit. Çdo shi i konsiderueshëm rikthen të njëjtat probleme, duke treguar mungesën e planifikimit afatgjatë dhe të përgjegjësisë nga institucionet lokale.
Ndërkohë që qytetarët përballen me rrugë të mbuluara nga uji, Bashkia Shkodër duhet të përgjigjet për dështimin e përsëritur në parandalimin e përmbytjeve, duke zbatuar masa reale dhe të qëndrueshme për të shmangur këtë pamje që çdo vit përsëritet.