Në gjendje alarmante paraqitet rruga Peshkopi–Lurë, siç shihet qartë në videon e dërguar nga qytetarët. Një segment i asfaltit është çarë dhe ka mbetur i varur mbi terrenin e rrëshqitur, duke krijuar rrezik serioz shembjeje. Rruga duket e dëmtuar rëndë në një anë, ndërsa poshtë saj është hapur një gropë e madhe që mund të çojë në kolaps të plotë të segmentit.
Sipas banorëve dhe drejtuesve të mjeteve që kalojnë çdo ditë nga ky aks, situata është përkeqësuar ndjeshëm pas reshjeve të fundit. Mungesa e ndërhyrjeve emergjente dhe e sinjalistikës paralajmëruese e bën kalimin tepër të rrezikshëm, sidomos për automjetet e tonazhit të rëndë dhe gjatë orëve të natës.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet përgjegjëse për stabilizimin e rrugës dhe shmangien e një ngjarjeje të rëndë. Ata theksojnë se rruga Peshkopi–Lurë është jetike për zonën dhe çdo vonesë në riparim mund të ketë pasoja fatale.