Gjykata Kushtetuese është mbledhur këtë të premte për të shqyrtuar ankimimin e qeverisë ndaj vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Pas seancës së fundit të mbajtur më 3 shkurt, pritet të shihet nëse Kushtetuesja do të dalë me një vendim përfundimtar lidhur me këtë çështje, në një moment delikat për raportet mes ekzekutivit dhe drejtësisë.
Në seancën e shkurtit, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin e kryeministrit Edi Rama, i cili kërkon interpretimin e nenit 103 të Kushtetutës, duke argumentuar se anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit dhe se Gjykata e Posaçme nuk mund të pezullojë një ministër pa autorizim nga Kryeministri. Sipas qeverisë, vendimi i SPAK dhe GJKKO ka ndërhyrë në kompetencat e kryeministrit dhe ka paralizuar funksionimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Nga ana tjetër, prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kundërshtuan këto pretendime, duke theksuar se nuk ekziston konflikt kompetencash dhe se pezullimi i një ministri nuk është në tagrin e Kryeministrit.
Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese vjen në një kohë kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke i hapur rrugë edhe arrestimit të saj. GJKKO ka vendosur pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit, me argumentin se Balluku, për shkak të funksionit, mund të prishë provat ose të intimidojë dëshmitarët. Ajo dhe vartës të saj akuzohen për paracaktim fituesish në dy tenderë me vlerë 210 milionë euro, për Tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe, ndërsa hetimet janë zgjeruar edhe për 7 lotet e tjera të këtij projekti, me një vlerë totale prej rreth 450 milionë euro.