Një mësues i kthyer së fundmi nga emigracioni ka ngritur shqetësimin e tij përmes një denoncimi drejtuar JOQ, ku shpreh zhgënjimin ndaj qeverisë për mosmbajtjen e premtimeve lidhur me rritjen e pagave në arsim. Ai tregon se u rikthye në Shqipëri me shpresën se vitet e studimit dhe eksperienca nuk do të shkonin dëm, sidomos pas deklaratave të Kryeministrit në fund të vitit 2025 për rritje pagash, ku përfshihej edhe arsimi. Sipas tij, mësuesit rezultuan grupi me rritjen më të ulët, rreth 3000 lekë plus 2.5% indeksim, e cila pritej të niste nga 1 janari 2026, por në praktikë nuk është reflektuar fare në paga.
Mësuesi thekson se mësuesit vazhdojnë të paguhen rreth 700–750 euro gjithsej, pavarësisht ngarkesës dhe vështirësive serioze në sistemin arsimor. Ai denoncon degradimin e shkollave, mungesën e bashkëpunimit me prindërit dhe faktin që mësuesit shpesh detyrohen të luajnë edhe rolin e oficerit të sigurisë, përballë rasteve të rënda të dhunës në shkolla. Sipas tij, qeveria nuk ka dhënë asnjë sqarim zyrtar për rritjen e premtuar, ndërsa qarkullojnë zëra se fondet mund të jenë devijuar për dëmshpërblime nga përmbytjet, ose se rritja mund të mos ekzistojë fare.
“Përshëndetje JOQ! Desha te shpreh një shqetësim, besoj në emër të gjithë mësuesëve të Republikës! Jam një mësues i kthyer nga emigracioni së fundmi dhe punoj si mësues në kryeqytet. U ktheva për të mos çuar dëm gjithë ato vite shkollë e studime bazuar dhe tek fakti se para 2-3 vitesh pagat pësuan rritje, por disa muaj më parë, fundvitin e 2025 Kryeministri foli për rritje pagash ku ndër të tjerë përfshinte dhe arsimin. Ne mësuesët ishim ata që kishim rritjen MË TË ULËT nga të gjithë profesionet e përmendura nga KM, prej 3000 lekësh + 2.5 % indeksion, shumë kjo e cila mund të shkonte diku tek 5000 lekë Bruto! Rritja supozohej të fillonte nga 1 janari 2026 dhe pas hedhjes se pagave ne llogari jo vetëm që NUK KA RRITJE por as nuk përmendet më se çfarë u premtua nga KM! Ndërkohë që për gjyqtarët u përfol që do të ketë rritje prej 700 euro në muaj, kur nga ana tjetër mësueset kanë një pagë 700 euro gjithsej në muaj edhe qeveria vazhdon me premtimet e sajë boshe. Pa marrë aspak përgjegjësi për degradimin e sistemit arsimor në Shqipëri ku mësuesi duhet te bëjë me shumë rolin e oficerit të sigurisë në klasë për arsye të mos menaxhimit dhe mosbashkëpunimin e prindërve nga nxënës qe vijnë me armë të ftohte në shkollë dhe një sistem komplet të rrënuar nga i cili mësuesit qeveria i vlerëson me 700-750 euro pagë! Thonë që lekët e supozuara për mësueset do të shkojnë për dëmshpërblimin nga përmbytjet e pak javëve më parë ndërkohë të tjerë thonë që kjo “rritje” s’do të ekzistojë fare!”-thuhet në denoncimin e mësuesit.