Shpërthim në një xhami në Pakistan gjatë lujteve të së premtes, 15 viktima

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 06.02.2026, 12:46

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur një xhami në pjesën juglindore të Islamabadit, në Pakistan, duke ngritur në alarm forcat e sigurisë dhe autoritetet lokale. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në xhaminë Hadizatul Kubra, në zonën Tarlai, në momentin kur besimtarët ishin mbledhur për faljen e së premtes.

Sipas raportimeve fillestare, shpërthimi ka shkaktuar humbje të rënda në njerëz. Media ndërkombëtare Al Jazeera bën me dije se deri tani raportohet për të paktën 15 persona të vdekur dhe rreth 80 të plagosur, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rritet.

Një zyrtar i policisë lokale, Zafar Iqbal, ka deklaruar më herët për Reuters se disa persona janë transportuar me urgjencë drejt spitaleve, duke shtuar se numri i saktë i viktimave ende nuk është konfirmuar. “Kemi dërguar disa të lënduar në spitale. Nuk mund të them për momentin sa janë të vdekur, por po, ka viktima,” është shprehur ai.

Menjëherë pas shpërthimit, ekipet e shpëtimit dhe forcat e sigurisë kanë mbërritur në vendngjarje, duke rrethuar zonën dhe duke nisur operacionet e ndihmës dhe hetimit.

Kjo ngjarje rikthen kujtimet e një tjetër sulmi të përgjakshëm të ndodhur në nëntor të vitit të kaluar në Islamabad, kur një sulmues vetëvrasës hodhi veten në erë pranë hyrjes së Kompleksit të Gjykatës së Qarkut, duke lënë të paktën 12 viktima dhe dhjetëra të plagosur.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe autorët e këtij shpërthimi, ndërsa situata mbetet e tensionuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit