Një person është arrestuar në kuadër të hetimeve që lidhen me parregullsitë në procesin e numërimit të votave në komunën e Deçanit.
Mësohet se e arrestuara është Dafina Cacaj, e cila mban pozitën e shefes së kabinetit të Kryetarit të Komunës së Deçanit.
Ajo është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit, ndërsa dyshohet për përfshirje në rastin që lidhet me procesin zgjedhor. Prokuroria pritet që brenda afatit ligjor të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës së saj në procedurë penale.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se ndalimi është kryer me urdhër të prokurorit të shtetit.
Sipas tij, brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës së të dyshuarës në procedurë penale.