Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur në Toskanë, Itali, ku katër anëtarë të familjes shqiptare Kola humbën jetën nga helmimi me monoksid karboni në shtëpinë e tyre në Via Galgani 186, në Porcari të Luccës. Alarmi u dha të mërkurën në mbrëmje nga Hajdar Kola, 22 vjeç, i cili telefonoi urgjencën sepse motra e tij Xhesika, 15 vjeçe, ishte pa ndjenja.
Gjatë telefonatës, edhe prindërit Arti 48 vjeç dhe Jonida Kola 43 vjeçe u rrëzuan, ndërsa djali nuk arriti ta përfundonte thirrjen. Ambulanca nuk arriti menjëherë në shtëpi sepse adresa u dha gabim, pasi familjarët ishin tashmë të helmuar nga gazi, i cili nuk ka erë dhe nuk ndihet.
Forcat e shpëtimit hynë në banesë rreth orës 21:45, gati dy orë më vonë, dhe i gjetën të katër pa jetë në dhomën e vajzës Xhesika. Edhe disa shpëtimtarë dhe xhaxhai i tyre, Durim Kola, u ndjenë keq dhe u dërguan në spital për ndihmë mjekësore. Familja Kola jetonte në Itali prej pesë vitesh dhe ishte zhvendosur në këtë shtëpi vetëm pesë muaj më parë.
Bojleri i banesës dyshohet se ka lëshuar monoksid karboni për shkak të një defekti ose instalimi të gabuar. Prokuroria e Luccës ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e tragjedisë, ndërsa komuniteti shqiptar dhe shkolla e Xhesikës janë tronditur thellë nga kjo humbje e madhe.