Një përballje e fortë ka ndodhur në Senatin amerikan gjatë një seance dëgjimore për bashkimin e propozuar mes Netflix dhe Warner Bros/Discovery. Senatori republikan Josh Hawley ka vënë në presion drejtpërdrejt bashkëdrejtorin ekzekutiv të Netflix, Ted Sarandos, duke e akuzuar platformën se promovon ideologji transgjinore dhe tema LGBTQ në përmbajtjet e dedikuara për fëmijë.
“Pse kaq shumë nga përmbajtja e Netflix për fëmijë promovon ideologji transgjinore? Pothuajse gjysma e përmbajtjes për të mitur shtyn një axhendë të tillë,” deklaroi Hawley gjatë seancës, duke shtuar se kjo përbën një shqetësim serioz për prindërit amerikanë.
Sarandos i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se Netflix nuk ndjek asnjë axhendë politike apo ideologjike dhe se ofron përmbajtje të larmishme për audienca të ndryshme. Ai u shpreh se nuk është në dijeni të burimit të shifrave të përmendura nga senatori.
Megjithatë, deklaratat e Hawley-t përkojnë me një raport të publikuar së fundmi nga organizata konservatore “Concerned Women for America” (CWA), e cila pretendon se 41% e programeve për fëmijë në Netflix përmbajnë tema, personazhe ose mesazhe LGBTQ. Sipas raportit, kjo përqindje vlen si për programet e klasifikuara G, ashtu edhe për ato TV-Y7.
Drejtuesja e CWA, Penny Nance, ka deklaruar se programet për fëmijë janë “infiltuar nga tema të rritura që lidhen me identitetin gjinor dhe preferencat seksuale”, duke shtuar se shumë prindër nuk janë të vetëdijshëm për këtë përmbajtje. Ajo ka shprehur gjithashtu shqetësimin se, me përvetësimin e Warner Bros/Discovery, Netflix mund ta zgjerojë edhe më tej këtë qasje.
Debati u përforcua edhe pas një episodi të vitit 2025, kur një skenë nga seriali i animuar “Dead End: Paranormal Park”, ku një personazh shpallet si transgjinor, u bë virale në rrjet. Klipi u shpërnda edhe nga Elon Musk, i cili bëri thirrje për bojkotimin e Netflix, ndërsa kompania thuhet se pësoi një rënie të ndjeshme në vlerën e aksioneve.
Nga ana e tij, senatori Hawley theksoi se shqetësimi i tij buron edhe nga përvoja personale si prind, duke deklaruar se nuk u lejon fëmijëve të tij të shikojnë përmbajtje në Netflix pa e kontrolluar paraprakisht.
Çështja ka rihapur debatin në SHBA mbi kufijtë e përmbajtjes për fëmijë, rolin e platformave të mëdha mediatike dhe të drejtën e prindërve për të vendosur se kur dhe si fëmijët e tyre përballen me tema të ndjeshme shoqërore.