Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, ka dalë nga ambientet e SPAK pas rreth 3 orësh qëndrimi. Ai u paraqit paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa prania e tij ka ngjallur interes të madh publik dhe mediatik.
Pas daljes nga SPAK, Golemi deklaroi për mediat se ishte thirrur si person në dijeni për një çështje që lidhet me një institucion në varësi të Bashkisë së Gjirokastrës. “Si person në dijeni për një çështje që ka të bëjë me një institucion të Bashkisë Gjirokastër”, u shpreh ai, pa dhënë detaje të tjera mbi natyrën e hetimit apo personat e përfshirë.
Ka dyshime se Flamur Golemi është përfshirë në një skemë korrupsioni me vlerë rreth 620 mijë euro, në bashkëpunim me biznesmenët Ferdinant Çaushi dhe Isuf Meçi, lidhur me tenderin për rikonstruksionin e godinës ekzistuese, shkallës së emergjencës dhe dhomës teknike në shkollën 9-vjeçare “Urani Rumbo” në Gjirokastër. Në tetor 2025, Bashkia Gjirokastër shpalli fituese kompanitë Ina shpk dhe Eurobeton shpk, me fond limit 780 mijë euro, ndërsa oferta fituese ishte 620 mijë euro. Sipas burimeve, punimet në objekt janë kryer nga ekipe të Bashkisë Gjirokastër, ndërkohë që pagesat janë marrë nga kompanitë fituese, të cilat dyshohet se kanë ndarë paratë me kryebashkiakun. Biznesmenët Çaushi dhe Meçi përmenden gjithashtu si përfitues të një tjetër tenderi prej 400 mijë eurosh për rrugën Zhulat–Gjirokastër, loti I, çka forcon dyshimet për një skemë të përsëritur abuzimi me fondet publike.
