Sot do të rikujtojmë një denoncim të publikuar më 5 shkurt 2020, lidhur me tenderët publikë në sektorin e shëndetësisë, një nga fushat ku shpërndahen shuma shumë të mëdha që arrijnë në miliarda lekë nga buxheti i shtetit. Sipas këtij denoncimi, përfitimi i këtyre tenderëve lidhet me afërsinë me qeverinë Rama, ku përmendet emri i Nikolin Jakës si një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike nëpërmjet tenderëve shtetërorë.
Në këtë lajm u raportua se kompania AGS, në pronësi të bashkëshortes së tij Alma Tafani, kishte fituar një tender të shpallur nga Spitali Psikiatrik i Vlorës me vlerë rreth 1 miliard lekë, me objekt “Shërbimi i lavanderisë dhe zëvendësimi me inventar të imët”. Tenderi ishte zhvilluar me marrëveshje kuadër 4-vjeçare, ku vetëm loti i parë parashikonte një përfitim prej 240 milionë lekësh, duke ngritur dyshime për mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike.
Sipas të dhënave të publikuara nga JOQ Albania, kompanitë “Sori Al” dhe “AGS”, të lidhura me Nikolin Jakën dhe familjarët e tij, kanë përfituar nga viti 2015 deri në vitin 2020 rreth 30 miliardë lekë nga buxheti i shtetit përmes tenderëve publikë. Raste të tilla janë denoncuar edhe më herët, ndërsa sot lind sërish pyetja publike, kur do të hetojë SPAK këto procedura dhe dyshimet për abuzim me fondet publike?