Publikimi i dokumenteve që lidhen me Jeffrey Epstein duket se ka zgjuar një interes të madh në Shqipëri, madje duke e kthyer çështjen në një nga temat më të kërkuara online ditët e fundit.
Të dhënat nga Google Trends tregojnë se përdoruesit shqiptarë kanë shfaqur një nivel të lartë kërkimesh për dosjen Epstein. Ky instrument mat frekuencën e kërkimit të një termi në një periudhë dhe zonë të caktuar, dhe gjatë javës së fundit Shqipëria ka regjistruar një indeks interesi prej 67 pikësh, një tregues i konsiderueshëm duke qenë se maksimumi i vlerësimit është 100. Në të njëjtën periudhë, vetëm Norvegjia ka arritur një nivel më të lartë kërkimesh.

Interesi për këtë temë vazhdon të mbetet i fortë, pasi sipas të dhënave më të fundit, kërkimet për termin “Epstein” kanë arritur nivelin 78, duke dëshmuar se vëmendja e publikut shqiptar mbetet ende e lartë.
Sa i përket shpërndarjes gjeografike të kërkimeve, Tirana kryeson listën e qyteteve më të interesuara, e ndjekur nga Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Elbasani.
Dosjet e njohura si “Epstein” përfshijnë një seri dokumentesh hetimore dhe materiale gjyqësore që lidhen me financierin amerikan, i cili u arrestua për trafikim seksual dhe abuzim me të mitura. Në këto materiale përfshihen dokumente të përdorura nga prokurorët dhe gjykatat në ndjekjen penale të tij dhe bashkëpunëtorëve të dyshuar, si dhe të dhëna mbi rrethin e personave me të cilët ai kishte lidhje, përfshirë figura të njohura nga politika, biznesi dhe industria e argëtimit.
Gjithashtu, dosjet përmbajnë dëshmi të viktimave dhe pretendime mbi funksionimin e rrjetit të tij të trafikimit, si dhe informacione mbi mënyrën se si Epstein menaxhonte pasuritë dhe ndikimin e tij për t’iu shmangur përgjegjësive ligjore.
Publikimi i këtyre materialeve ka ndezur debat ndërkombëtar mbi rolin e personave me pushtet që dyshohet se kanë pasur lidhje me Epstein, si dhe mbi çështjen e mungesës së llogaridhënies në nivelet më të larta të shoqërisë.