Pas gati një viti “mbylljeje totale” vetëm në letër, qeveria shqiptare vendosi më 4 shkurt 2026 të rihapë zyrtarisht TikTok-un për përdoruesit në Shqipëri. Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, duke i dhënë fund masës së shpallur në mars 2025, pas vrasjes tragjike të 14-vjeçarit Martin Cani. Asokohe, qeveria e kryeministrit Edi Rama e paraqiti bllokimin e platformës si një goditje të fortë ndaj dhunës dhe bullizmit online, duke e shpallur TikTok-un “armik publik” të fëmijëve dhe të rinjve.
TikTok tani është sërish i hapur dhe i aksesueshëm normalisht në Shqipëri. Qeveria hoqi ndalimin që kishte qenë i përkohshëm dhe nuk po e bllokon më platformën. Por kjo nuk do të thotë “pa rregulla”. Autoritetet do ta monitorojnë më nga afër përdorimin e TikTok-ut, sidomos për përmbajtjet që lidhen me fëmijët dhe të rinjtë. TikTok ka pranuar të vendosë filtra sigurie, kontrolle më të forta të përmbajtjes dhe mënyra më të shpejta raportimi.
Ndërkohë, shteti do të nisë edhe fushata ndërgjegjësimi për prindërit, nxënësit dhe mësuesit, që përdorimi i rrjeteve sociale të jetë më i sigurt dhe më i përgjegjshëm. Pra, TikTok po, por me sy hapur se po iu vëzhgon shteti!