Dokumentet e reja që lidhen me Jeffrey Epstein, të publikuara pas zbatimit të ligjit për transparencë në fund të vitit 2025, kanë rikthyer në vëmendje një nga misteret më të diskutuara të botës së kinemasë: vdekjen e regjisorit Stanley Kubrick dhe lidhjet e mundshme me filmin e tij të fundit, Eyes Wide Shut.
Filmi që ngjalli debat për elitën dhe ritualet e fshehta
Sipas interpretimit të materialeve dhe diskutimeve të fundit, atmosfera e ritualeve, maskave dhe festave të mbyllura elitare që Kubrick solli në ekran në vitin 1999, nga shumëkush nuk shihet më vetëm si trillim artistik. Krahasimet mes skenave të filmit dhe përshkrimeve të aktiviteteve private të elitave, të përmendura në dokumentet që lidhen me Epstein, kanë ndezur debat dhe spekulime të reja. Për disa analistë dhe adhurues të kinemasë, regjisori duket sikur kishte parashikuar një realitet të errët që më vonë u bë pjesë e diskutimeve publike.
Misteri i kohës së vdekjes së Kubrick
Një tjetër element që vazhdon të ushqejë teoritë është momenti i ndarjes nga jeta të regjisorit. Stanley Kubrick vdiq më 7 mars 1999 nga një atak kardiak, vetëm gjashtë ditë pasi kishte shfaqur versionin përfundimtar të Eyes Wide Shut për drejtuesit e studios dhe aktorët kryesorë. Ky përkim kohor ka bërë që disa të hedhin hipoteza se filmi mund të ketë prekur tema dhe figura që nuk dëshironin të ekspozoheshin publikisht.
Debati që vazhdon
Teoritë që lidhin Kubrick me zbulimin e sekreteve të elitave vazhdojnë të qarkullojnë, ndërsa saga e Epstein ka rindezur interesin për filmin e tij të fundit. Fansat e kinemasë, si dhe media ndërkombëtare si Hollywood Reporter, kanë vënë në dukje paralelizma mes ritualeve të paraqitura në film dhe akuzave që kanë qarkulluar për sjellje të diskutueshme brenda qarqeve elitare, ku përmendet edhe Epstein.
Skenat erotike të filmit të vitit 1999 u xhiruan në ambientet e “Mentmore Towers”, një pronë historike që dikur i përkiste familjes Rothschild. Rastësisht ose jo, vetëm gjashtë ditë pasi regjisori pa privatisht versionin e përfunduar të filmit së bashku me familjarët dhe protagonistët, Kubrick ndërroi jetë nga një atak në zemër, duke lënë pas një nga veprat më të diskutuara në historinë e kinemasë.