Sa para ka marrë Ilir Proda nga Baç Ulaj për dhunimin e protestuesëve në Rrjoll?

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 05.02.2026, 14:55

Banorët e fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë po përballen me një realitet të frikshëm: pronat e tyre të trashëguara ndër breza po grabiten për ndërtimin e resortit “Aba Blue Borgo” të oligarkut Bashkim Ulaj, ndërsa Policia e Shtetit, nën urdhrat e Ilir Prodes, është kthyer në mburojë të investitorit dhe jo të ligjit.

Qindra efektivë policie janë vendosur në zonë për të larguar dhe arrestuar banorët që protestojnë paqësisht, ndërsa Bashkim Ulaj vijon ndërtimin e resortit pa leje që nga marsi i vitit 2025. Policia, në vend që të ndalojë shkelësin, ka ushtruar dhunë ndaj qytetarëve, gjithçka për të mbrojtur interesat private të oligarkut. Pyetja që qëndron pezull është, sa para ka marrë nga Bashkim Ulaj kryepolici Proda?

Rasti nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen direkte të qeverisë. Sipas dokumenteve, të gjitha vendimet për legalizimin e ndërtimit dhe dhënien e statusit “Investitor Strategjik” Bashkim Ulajt janë firmosur nga kryeministri Edi Rama: Vendimi nr. 875, datë 30 dhjetor 2024, i dha oligarkut statusin strategjik për 147 hektarë toka të banorëve të Rrjollit, ndërsa leja e ndërtimit u dha më 15 janar 2026, vetëm disa muaj pas nisjes së punimeve pa leje.

Bashkim Ulaj është bërë sinonim i grabitjes së pronës private në Shqipëri. Nga Roskoveci me TEC-in e tij, Bërxulla në aksin Thumanë–Kashar, HEC-et dhe guroret në Valbonë, Mat, Mirditë, Dibër, Gjirokastër, Librazhd dhe Pogradec, ai ka treguar se nuk ka frikë nga ligji. Çdo protestë qytetare për tokën e banorëve, çdo tentativë për të mbrojtur të drejtën legjitime, është përballur me dhunë policore të orkestruar.

Rasti i Rrjollit është më shumë se një grabitje pronash: është një demonstrim i pushtetit të kapur nga oligarkët dhe mbrojtur nga qeveria. Policia e Shtetit nuk po ruan rendin publik, por po e shkel atë në shërbim të Bashkim Ulajt. Banorët nuk janë kriminelë; ata janë viktima të një sistemi ku uniforma e policisë përdoret për të garantuar grabitjen e pronës private.

Banorët e Rrjollit paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen dhe kërkojnë hetim të menjëhershëm për rolin e Policisë së Shtetit dhe të drejtuesve të saj në këtë operacion dhune. Ndërkohë, Bashkim Ulaj vijon ndërtimin e 33 godinave banimi dhe shërbimi, hotelin dhe godinat social-kulturore, pa asnjë pengesë ligjore, sepse pasi ka firmën e Ramës, as ligji nuk e ndalon.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit