Me bekimin e kryetarit të bashkisë, Jetmir Muçllari grabit pronat e pogradecarëve

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 05.02.2026, 13:59

Një situatë alarmante po denoncohet nga banorët e fshatit Gurras, në bashkinë Pogradec, të cilët pretendojnë se po u grabiten tokat e ndara sipas ligjit 7501, në sy të institucioneve vendore dhe me heshtjen e plotë të pushtetit lokal. Sipas tyre, biznesmeni Jetmir Muçllari, pronar i hotelit “Voloreka”, po përvetëson me forcë sipërfaqe toke që u përkasin ligjërisht familjeve të zonës.

Banorët akuzojnë se këto veprime nuk po ndodhin në vakum, por me tolerimin, me mbështetjen e të drejtuesve të Bashkisë Pogradec. Në qendër të këtyre akuzave përmenden kryetari i bashkisë Ilir Xhakolli dhe nënkryetari Paskalino Ziko, të cilët, kanë mbyllur sytë ndaj shkeljeve flagrante, duke favorizuar interesa private në dëm të pronarëve legjitimë të tokës.

Emri i Jetmir Muçllarit, sipas banorëve, nuk është i panjohur në Pogradec për konfliktet mbi pronën. Ata pretendojnë se më herët ai ka zënë edhe një pjesë të konsiderueshme të Parkut të Drilonit, duke shfrytëzuar lidhjet me pushtetin vendor. Banorët flasin hapur për korrupsion dhe ryshfet si mekanizma që, sipas tyre, i kanë hapur rrugë këtyre abuzimeve.

Situata ka marrë përmasa edhe më shqetësuese disa muaj më parë, kur, sipas denoncimeve publike, Jetmir Muçllari ka ushtruar dhunë fizike ndaj kryeplakut të fshatit Tushemisht, pas kërkesës së këtij të fundit për lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme.

Banorët e Gurrasit kërkojnë ndërhyrje urgjente të institucioneve shtetërore, një hetim të pavarur dhe të paanshëm nga organet e drejtësisë, si dhe ndalimin e çdo veprimi që cenon pronën e fituar me ligj. Ata paralajmërojnë se nuk do të heqin dorë nga e drejta e tyre dhe se janë të gatshëm të përshkallëzojnë reagimin përmes protestave, nëse situata vazhdon të injorohet.

Heshtja e Bashkisë Pogradec përballë këtyre denoncimeve vetëm sa shton dyshimet dhe ushqen bindjen e banorëve se pushteti lokal po rreshtohet në krah të më të fortit, duke lënë qytetarët pa mbrojtje. Në një shtet ligjor, prona nuk duhet të jetë privilegj i lidhjeve, por e drejtë e garantuar nga ligji.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit