I gjithë qarku i Kukësit është përfshirë gjatë orëve të natës nga reshje shiu me intensitet mesatar, të shoqëruara herë pas here me erë, duke shkaktuar vështirësi në disa segmente rrugore. Reshjet kanë vijuar deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, për t’u ndërprerë gradualisht.
Si pasojë e motit të paqëndrueshëm, në disa akse rrugore janë shënuar rënie gurësh dhe inertesh nga shpatet malore, veçanërisht në zonat me terren të thyer. Situata më problematike është regjistruar në segmentin rrugor Kukës–Bushtricë, ku në orët e para të ditës janë evidentuar rënie gurësh dhe masash dherash, duke vështirësuar përkohësisht lëvizjen e automjeteve.
Aktualisht, ky aks kombëtar që lidh Kukësin me Peshkopinë është i qarkullueshëm normalisht, megjithatë drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë orëve në vijim.