Kriza e blegtorisë thellon varësinë ndaj bulmetit të importuar, stallat e fermerëve mbeten bosh

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 05.02.2026, 11:15

Bilanci tregtar i Shqipërisë për produktet bazë të shportës ushqimore po pasqyron një varësi gjithnjë e më të thelluar nga importet. Të dhënat e INSTAT mbi tregtinë e jashtme tregojnë se kategoria “Produkte bulmetore, vezët dhe mjalti” ka shënuar një rritje të ndjeshme të importeve, duke kaluar nga 6.8 miliardë lekë në vitin 2024 në rreth 7.7 miliardë lekë në vitin 2025.

Kjo rritje prej afro 14% brenda vetëm një viti dhe mbi 62% krahasuar me vitin 2021, sinjalizon një dobësim të shpejtë të prodhimit vendas përballë produkteve të importuara, kryesisht nga vendet e Rajonit dhe Bashkimi Evropian.

Zgjerimi i importeve lidhet drejtpërdrejt me krizën strukturore që ka përfshirë sektorin e blegtorisë në vend. Prej vitesh, numri i krerëve po bie në mënyrë të vazhdueshme, si pasojë e braktisjes së zonave rurale, plakjes së popullsisë në fshat dhe mungesës së interesit të brezave të rinj për të vijuar aktivitetin blegtoral familjar.

Paralelisht, rritja e kostove të prodhimit, e nxitur nga shtrenjtimi i inputeve bujqësore dhe ushqimit për kafshët, e ka bërë prodhimin vendas gjithnjë e më pak konkurrues. Blegtorët shqiptarë përballen me prodhues të huaj që operojnë me teknologji më efikase dhe përfitojnë nga skema të gjera subvencionimi shtetëror.

Në këtë kontekst, tregu po reagon duke mbushur boshllëkun e krijuar nga tkurrja e prodhimit vendas përmes importeve. Ndërsa konsumi i brendshëm mbetet relativisht i qëndrueshëm dhe kërkesa nga sektori i turizmit po rritet nga viti në vit, mungesa e qumështit dhe nënprodukteve “Made in Albania” po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga produktet e huaja.

Forcimi i lekut ka përforcuar më tej këtë prirje, duke e bërë importin e qumështit, djathit apo gjalpit nga vendet e Bashkimit Evropian ndjeshëm më të lirë krahasuar me vitet e mëparshme. Për tregtarët, sot është më leverdi ekonomike të importojnë sasi të mëdha nga vende si Italia apo Hungaria, sesa të grumbullojnë prodhim të fragmentuar vendas, me kosto të larta logjistike. Leku i fortë po ushtron kështu një presion të fortë mbi prodhuesin vendas, i cili nuk arrin të konkurrojë me çmimet e importit.

Kjo dinamikë po krijon një rreth vicioz: sa më shumë rriten importet, aq më i dobët bëhet presioni institucional për të mbështetur blegtorinë lokale, duke e lënë sektorin të pambrojtur dhe gjithnjë e më të zhvlerësuar përballë konkurrencës rajonale.

Ekspertët paralajmërojnë se, nëse tendencat e reflektuara në shifrat e vitit 2025 vijojnë me të njëjtat ritme, Shqipëria rrezikon të humbasë sovranitetin ushqimor për produktet bazë. Vetëm brenda një viti, rritja e importeve me rreth 10 milionë euro tregon qartë se politikat ekzistuese të subvencionimit nuk kanë arritur të ndalin tkurrjen e sektorit të blegtorisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit