Arti Kola, 48 vjeç, Jonida Kola, 43 vjeçe, Hajdar Kola, 22 vjeç, dhe Xhesika Kola, 15 vjeçe, janë identifikuar si katër anëtarët e familjes shqiptare që humbën jetën në Itali si pasojë e rrjedhjes së monoksidit të karbonit në banesën e tyre. Emrat u bënë publikë nga Kryetari i komunës së Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili shprehu trishtimin e komunitetit dhe i bëri thirrje bashkësisë të qëndrojë pranë të afërmve në këtë moment zie.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e mbrëmjes, rreth kohës së darkës, ndërsa familja kishte bërë gati tryezën për të ngrënë pa e ditur se po përballej me një rrezik fatal. Alarmin e dha vëllai i kryefamiljarit, i cili, pasi nuk arriti të kontaktonte me ta, njoftoi karabinierët. Në mbërritje, policia u detyrua të hapë derën me forcë dhe gjeti katër anëtarët e familjes të pajetë në dysheme.
Gjatë ndërhyrjes, një familjar tjetër humbi ndjenjat për shkak të ekspozimit ndaj monoksidit, por u shpëtua falë reagimit të shpejtë të karabinierëve dhe u dërgua me urgjencë në spitalin e Cisanellos, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Një ngjarje e rëndë që rikthen në vëmendje rrezikun e gazit të padukshëm dhe nevojën për masa parandaluese më të forta në banesa, veçanërisht për familjet që jetojnë larg vendit të origjinës dhe përballen me kushte të vështira.