Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur Vatikanin si vend për të kërkuar udhëzim në rrugën e së mirës, në një moment kur politikat e ndjekura prej vitesh në vend kanë lënë mjaft qytetarë duke u përpjekur të gjejnë vetë se ku ndodhet kjo rrugë. Fjalë të mëdha për “rrugën e së mirës” dhe “mbrojtjen e vendit”, të denja për çdo qytetar që e do këtë vend, por që marrin një peshë tjetër kur artikulohen nga një drejtues politik, politikat e të cilit prej vitesh janë në qendër të debateve për drejtësinë sociale, emigracionin masiv dhe mënyrën e qeverisjes.
Lutja e Kryeministrit Edi Rama në bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, Regina di Albania
O Mari, Nënë e ëmbël e Këshillit të Mirë, kaq e dashur për bijtë e Shqipërisë në atdhe dhe jashtë atdheut! Sot po vijmë tek ti, edhe një herë, të ta besojmë popullin tonë, familjet tona, rininë tonë. Ti që je Zojë e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë, na udhëhiq në rrugën e së mirës, na jep dritë në dyshime dhe ngushëllim në provat e jetës. Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Virgjër e bekuar. Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona dhe na bëj të jemi gjithmonë besnikë ndaj Birit tënd, Jezusit. O Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për ne!
Në praktikë, “rruga e së mirës” është shoqëruar me koncesione pa garë, partneritete publike private të dyshimta dhe reforma që qytetarët i kanë ndjerë më shumë në xhep sesa në rritje të mirëqenies, socialistë që vjedhin taksat e popullit, rrugë të lëna rrugëve, familje me ekonomi të dobët. Ndërsa në fjalimet e tij Shqipëria paraqitet si prioritet absolut sa lutet dhe për të, në përditshmëri shumë shqiptarë vazhdojnë ta kërkojnë të ardhmen e tyre jashtë vendit, larg politikave që supozohet se po i mbrojnë. Rama lutet dhe për ata që i largoi vetë nga Shqipëria.
E gjithë kjo e bën vizitën dhe mesazhin të duken më shumë si një “show” politik i paketuar me tone solemne, sesa si reflektim mbi pasojat konkrete të qeverisjes. Dashuria për Shqipërinë shprehet bukur me fjalë, por matet realisht me vendime dhe për to, qytetarët vazhdojnë të presin që “rruga e së mirës” të mos mbetet vetëm një slogan. Kryeministër, politika matet me vendime konkrete dhe për to, as lutja më e sinqertë nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë përpara qytetarëve.