Bill Gates ka reaguar publikisht për herë të parë në një intervistë televizive, pas publikimit të dokumenteve të reja të Departamentit Amerikan të Drejtësisë që lidhen me dosjen Epstein, ku përmendet edhe emri i tij.
Në një intervistë për 'Nine News Australia', themeluesi i Microsoft e ka quajtur “të pamend” vendimin për të kaluar kohë me Jeffrey Epstein dhe ka shprehur keqardhje të thellë për këtë lidhje.
“Çdo minutë që kam kaluar me të, e pendohem dhe kërkoj ndjesë që e kam bërë,” është shprehur Gates.
Dokumentet e publikuara përfshijnë email-e ku Epstein bën pretendime ndaj Gates, përfshirë akuza për marrëdhënie jashtëmartesore dhe për përpjekje për të fshehur një infeksion seksualisht të transmetueshëm. Këto pretendime janë mohuar kategorikisht nga përfaqësuesi i Gates, i cili i ka quajtur “absolutisht absurde”.
Vetë Gates ka sqaruar se nuk ka vizituar kurrë ishullin famëkeq të Epstein dhe se nuk ka takuar gra në rrethana të tilla.
“Kam qenë vetëm në disa darka. Nuk kam shkuar kurrë në ishull dhe nuk kam takuar ndonjë grua. Kalimi i kohës me të ishte një gabim, por nuk kishte asnjë lidhje me krimet për të cilat ai akuzohet,” u shpreh Gates.
Deri më tani, Bill Gates nuk është akuzuar për asnjë vepër penale nga viktimat e Jeffrey Epstein.