Kolapsi i fiskalizimit: Sistemi SelfCare i bllokuar prej 16 ditësh

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 04.02.2026, 21:55

Ditët po kalojnë dhe kaos-i operacional po thellohet për mijëra biznese shqiptare, të cilat gjenden sot në ditën e 16-të të bllokimit total të sistemit SelfCare. Platforma që duhet të garantonte transparencën dhe faturimin në kohë reale është kthyer në një makth për ekonomistët dhe sipërmarrësit, të cilët e kanë të pamundur të mbyllin bilancet mujore, të regjistrojnë certifikatat e reja apo të kryejnë veprime bazë në librat e shitjeve dhe blerjeve.

Edhe pse situata po paralizon aktivitetin ekonomik, institucionet përgjegjëse si AKSHI dhe Drejtoria e Tatimeve po zgjedhin heshtjen, duke mos ofruar asnjë sqarim zyrtar apo zgjidhje për ngërçin teknik. Kontabilistët dhe ekspertët fiskalë paralajmërojnë se ky kolaps po shndërrohet në një presion të hapur ndaj bizneseve, të cilat tani rrezikojnë penalitete dhe gjoba të majme për vonesa që nuk vijnë nga fajësia e tyre, por nga rënia e sistemit shtetëror.

Aleanca e Profesionistëve të Lirë ka kërkuar zyrtarisht pezullimin e gjobave dhe shtyrjen e menjëhershme të afateve ligjore, duke theksuar se bllokimi po dëmton rëndë arkëtimet dhe besimin te sistemi i fiskalizimit. Pa një reagim të shpejtë nga Ministria e Financave, bizneset po detyrohen të humbin orë të tëra pune pa rezultat, ndërsa vonesat në faturim po kërcënojnë likuiditetin e kompanive dhe klimën e të bërit biznes në vend.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit