“Pronarët duan të më dëbojnë”, drama e djalit nigerian: Më lini të punoj, e dua Shqipërinë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.02.2026, 20:26

Një thirrje prekëse për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një i ri nigerian, i quajtur Wisdom, i cili prej kohësh jeton në Sukth të Durrësit.

Përmes një videoje të dërguar në redaksi, ai shprehet se punëdhënësit e kanë larguar nga puna dhe po tentojnë ta kthejnë me forcë drejt Nigerisë.

Wisdom thotë se nuk kërkon lëmoshë, por vetëm një mundësi për të qëndruar dhe punuar në Shqipëri, vend të cilin shprehet se e do dhe ku dëshiron të ndërtojë jetën e tij.

Në video shihen edhe çantat e tij dhe të shokut të tij, ndërsa ai shpjegon se situata është bërë e padurueshme.

“Kam gjetur vetë një punë tjetër, por nuk më lejojnë të shkoj. Më thonë se nuk do më lejojnë të punoj më në këtë vend,” shprehet ai mes emocionesh.

I riu thotë se nuk ka askënd ku të mbështetet në Shqipëri dhe se është i pasigurt për të ardhmen, ndërsa kërkon ndërhyrje nga institucionet ose organizatat që merren me të drejtat e njeriut.

“Ju lutem më ndihmoni, nuk di çfarë të bëj. Nuk kam njeri këtu. Dua vetëm të punoj,” përfundon ai rrëfimin e tij.

A duhet të përballen kështu punëtorët e huaj që vijnë për të punuar në Shqipëri? Kush duhet të mbajë përgjegjësi në raste të tilla?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit