Gara për Këpucën e Artë europiane po ndizet gjithnjë e më shumë, me dy yje absolutë të futbollit që vazhdojnë të ecin krah për krah në krye të renditjes. Harry Kane dhe Kylian Mbappé ndajnë vendin e parë me nga 44 pikë, falë 22 golave të realizuar secili në kampionatet respektive. Sulmuesi i Bayernit dhe ylli i Real Madridit po zhvillojnë një duel spektakolar, që premton emocione deri në fund të sezonit.
Menjëherë pas tyre pozicionohet Erling Haaland, i cili mban vendin e tretë me 40 pikë, duke mbetur një kërcënim serioz për dyshen kryesuese dhe duke e mbajtur garën plotësisht të hapur. Në top-5 bie në sy edhe prezenca e Vedat Muriqit, “Pirati” i Mallorcës, që po zhvillon një sezon mbresëlënës dhe po shkruan historinë e tij personale në elitën europiane.
Sa i përket Serie A, vëmendja përqendrohet te Lautaro Martinez. Kapiteni i Interit ka gjetur sërish rrugën e rrjetës, duke hedhur një hap të rëndësishëm përpara në këtë renditje. Aktualisht ai mban vendin e 13-të, me 13 gola dhe 26 pikë, duke u futur seriozisht në garë për të synuar top-5.
Vlen të theksohet se renditja e Këpucës së Artë bazohet në një sistem pikëzimi, ku numri i golave shumëzohet me koeficientin UEFA të kampionatit. Golat e shënuar në pesë ligat kryesore europiane (Angli, Itali, Spanjë, Gjermani dhe Francë) vlerësohen me 2 pikë, ndërsa ato në kampionatet e renditura nga vendi i gjashtë deri në të njëzetedytin vlejnë 1.5 pikë. Ligat e tjera kanë koeficient 1.
Top-5 aktual i Këpucës së Artë europiane:
Harry Kane (Bayern Munich) – 44 pikë
Kylian Mbappé (Real Madrid) – 44 pikë
Erling Haaland (Manchester City) – 40 pikë
Igor Thiago (Brentford) – 32 pikë
Vedat Muriqi (Mallorca) – 30 pikë