Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një situatë alarmante, e cila po kthehet gjithnjë e më shpesh në një rrezik real për shëndetin e konsumatorëve, veçanërisht të fëmijëve.
Ngjarja ka ndodhur në një filial të rrjetit “Big Market”, i cili prej kohësh përmendet nga qytetarët si simbol i abuzimeve me produktet ushqimore. Sipas denoncimit, qytetari kishte blerë çokollata “Snickers” për fëmijën e tij, të cilat rezultuan të skaduara, ndonëse ekspozoheshin ende normalisht në raftet e dyqanit.
Menjëherë pas blerjes, fëmija ka ngrënë produktin pa e ditur se ishte jashtë afatit të përdorimit, duke e kthyer një blerje të zakonshme në një rrezik serioz për shëndetin.
I tronditur nga situata, qytetari është rikthyer në dyqan dhe më pas ka njoftuar policinë. Por, sipas tij, reagimi i institucioneve ishte zhgënjyes: rasti u anashkalua, pa asnjë veprim konkret, sikur të bëhej fjalë për një detaj pa rëndësi.
Kjo ngre pyetje të forta dhe shqetësuese: Pse nuk veprojnë institucionet përgjegjëse ndaj rasteve të tilla? A janë kontrollet selektive kur bëhet fjalë për rrjete të mëdha tregtare? Dhe mbi të gjitha, a gëzon “Big Market” një imunitet të heshtur, për shkak të lidhjeve politike, duke qenë nën pronësinë e deputetit socialist Vullnet Sinaj?
Shëndeti i qytetarëve, dhe sidomos i fëmijëve, nuk mund të jetë kurrë kompromis. Produktet e skaduara në treg nuk janë thjesht shkelje ligjore, janë kërcënim i drejtpërdrejtë për jetën.