Një aksident i rëndë detar është regjistruar pranë ishullit Chios, në Egjeun lindor, ku një skaf që transportonte emigrantë është përplasur me një anije patrullimi të Rojës Bregdetare greke, duke shkaktuar humbjen e jetës së të paktën 14 personave. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet greke, të cilat bëjnë me dije se operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, pasi dyshohet se ka ende persona të zhdukur.
Në operacion janë angazhuar katër anije patrullimi, një helikopter i Forcave Ajrore greke si dhe një mjet privat me zhytës. Sipas Rojës Bregdetare, 24 persona janë shpëtuar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Chios, së bashku me dy efektivë të plagosur gjatë incidentit. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende gjendjen shëndetësore të të mbijetuarve dhe as numrin e saktë të personave që ndodheshin në skaf.
Pamjet e shpërndara nga mediat lokale tregojnë të mbijetuar të mbështjellë me batanije duke u transportuar drejt ambulancave, si dhe dy fëmijë të shoqëruar nga efektivët. Deri më tani, autoritetet greke nuk kanë dhënë detaje mbi rrethanat e përplasjes apo identitetin e viktimave.
Greqia vazhdon të jetë një nga pikat kryesore të hyrjes në Bashkimin Europian për emigrantët që ikin nga lufta dhe varfëria, ndërsa kalimet e rrezikshme nëpër Detin Egje mbeten një fenomen i vazhdueshëm.