Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë nga selia blu, akuzoi ashpër Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar si “strofulla e fundit e hajdutëve të shqiptarëve”.
Ai kritikoi mungesën e një vendimi për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke sugjeruar se kjo reflekton një gatishmëri të pjesës së anëtarëve të Gjykatës për të shkelur ligjet dhe Kushtetutën, në përputhje me urdhrat e qeverisë.
Berisha: “Dita e djeshme faktoi se GJK është strofulla e fundit e hajdutëve tuaj. Në një akt ekstrem poshtërimi, ata të cilët Kushtetuta i përcakton si garantë të saj, po faktojnë para syve tua se janë strofulla e fundit e narkoshtetit. Ata zotërinj e zonja, jo të gjithë sigurisht, dëshmojnë se janë të gatshëm të shkelmojnë ligjin Kushtetutën dhe moralin, vetëm për të zbatuar përulësisht urdhrat e Ramës.”
Në anën tjetër, mungesa e një qëndrimi të qartë nga Gjykata Kushtetuese mbi këtë çështje ka ngjallur debate dhe shqetësim mbi pavarësinë e institucionit dhe integritetin e tij, duke i dhënë hapësirë interpretimeve për ndikime politike të mundshme.